











“Ne ofrojmë garanci dhe të drejtat më të mira dhe më të mëdha për të gjitha pakicat ose komunitetet joshumicë në Kosovë”.Kështu iu përgjigj kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 12 janar, kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Kosova të japë propozime rreth formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje, në kuadër të dialogut.
Ai theksoi se Kushtetuta e Kosovës nuk lejon asociacione njëetnike dhe shtoi se komuniteti serb në Kosovë gëzon privilegje të shumta sipas Planit të Ahtisaarit – dokument mbi bazën e të cilit Kosova e shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008.Çfarë është Plani i Ahtisaarit?






Më 2007, ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisaari, i cili ishte ndërmjetësues i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në bisedimet për statusin e Kosovës, përpiloi një dokument – i njohur më shumë në publik si Plani i Ahtisaarit – i cili i dha garanci të forta komunitetit serb.Ky plan rregullon një varg çështjesh, nga ato të kulturës, gjuhës, fesë, traditës, por edhe të arsimit, shëndetësisë, ekonomisë dhe pronës, deri te formimi i komunave me shumicë serbe, nëpërmjet procesit të decentralizimit.
Sot, ekzistojnë gjithsej dhjetë komuna në Kosovë që janë të banuara me shumicë serbe.






Gjashtë prej tyre ndodhen në jug të lumit Ibër – Graçanica, Novobërda, Shtërpca, Ranillugu, Kllokoti dhe Parteshi – përderisa katër të tjera, që i lidh territori, ndodhen në veri të tij – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku.Ky dokument ka shërbyer si bazë për hartimin e Kushtetutës së Kosovës, në të cilën komunitetet pakicë “diskriminohen pozitivisht”.
Për shembull, në Kuvendin e Kosovës, dhjetë vende parlamentare janë të rezervuara për komunitetin serb, ndërsa dhjetë të tjera për komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë.






Serbët, po ashtu, kanë një vend të garantuar në Qeverinë e Kosovës.Plani i Ahtisaarit mbron Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, si dhe pronat e tij, ndërsa më 2008, duke u bazuar në atë dokument, u miratua Ligji për zonat e veçanta të mbrojtura. Ky ligj siguron mbrojtjen e manastireve dhe kishave ortodokse, si dhe të objekteve të tjera fetare në Kosovë, dhe mbron vendet e tjera kulturore dhe historike, të cilat kanë rëndësi të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Ekziston edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili parasheh që gjuha serbe, e cila përdoret zyrtarisht në Kosovë, duhet të promovohet dhe të ruhet.Serbët në jug të Ibrit e kanë pranuar Planin e Ahtisaarit, i cili i hapi rrugën integrimit të tyre brenda institucioneve dhe shoqërisë së Kosovës, përderisa ata në veri të lumit e refuzuan atë deri më 2013, kur u arrit Marrëveshja e parë e Brukselit, e cila parasheh formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.






Dy vjet më vonë, më 2015, Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e cila përcaktoi parimet e përgjithshme dhe elementet kyç të tij.Çfarë është Asociacioni i komunave me shumicë serbe?
Sipas Marrëveshjes së parë të Brukselit, Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet mbi bazën e një statuti, ndërsa shpërndarja e tij mund të bëhet vetëm mbi bazën e një vendimi të komunave pjesëmarrëse.Marrëveshja parasheh, po ashtu, të drejtën e komunave pjesëmarrëse për bashkëpunim në zbatimin kolektiv të kompetencave përmes Asociacionit, i cili do të ketë mbikëqyrje të plotë mbi fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe zhvillimit rural.






Marrëveshja e vitit 2015 përbëhet nga 22 pika, të cilat specifikojnë kornizën ligjore, objektivat, strukturën organizative, marrëdhënien me autoritetet qendrore, buxhetin dhe mbështetjen.Disa prej objektivave përfshijnë forcimin e demokracisë lokale; kryerjen e mbikëqyrjes së plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale, edukimit, shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, planifikimit urban dhe rural, dhe ofrimin e shërbimeve për pjesëtarët e tij në përputhje me ligjet e Kosovës.