Planifikimi për atentat ndaj Abdixhikut dhe tre deputetëve të LDK-së, edhe AKI pjesë e hetimeve


Të mërkurën është bërë e ditur për një planifikim për atentat ndaj kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe deputetëve të kësaj partie, Avdullah Hoti, Armend Zemaj dhe Arben Gashi.

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, ka thënë se hetimet e Policisë së Kosovës lidhur me këtë rast janë duke u mbështetur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) si dhe shërbime të Inteligjencës të shteteve mike të vendit.

Ai madje konfirmon se tashmë dihen edhe emrat e të dyshuarve që kanë planifikuar këtë atentat, mirëpo që nuk mund të bëhen publik për shkak se e pengon procesin e hetimeve.

Në këto momente kur janë duke zhvilluar hetime intensive nga policia e Kosovës e cila është duke u mbështetur edhe nga Agjencioni i Kosovës për Inteligjencë si dhe shërbime të Inteligjencës të shteteve mike të republikës së Kosovës, është natyrale të mos përmendim emrat e personave apo grupeve të cilat kanë planifikuar atentatin, ngase mund të dëmtojmë seriozisht hetimet” , ka thënë ai

Derisa këtë planifikim për atentat Elezi po e sheh si rrezik mjaft serioz.

Gjithashtu, ai ka thënë se kemi të bëjmë me një alarm serioz sigurie për deputetët e Republikës së Kosovës.

“Në këtë rast kemi të bëjmë me një alarm serioz sigurie për deputetët e Republikës së Kosovës si dhe zyrtarët e lartë të LDK-së, andaj mund të vlerësojmë si rrezik serioz për të apostrofuarit”, ka thënë ai.

Deputeti i cili po ashtu ishte cak i këtij planifikimi për atentat, Armend Zemaj, të mërkurën ka thënë se gjithçka ka qenë në koordinim me Policinë e Kosovës.

“Nëse ekziston një mendësi në Kosovë se dikush duhet të eliminohet politikisht se përse është kundërshtarë i dikujt këtu në Kosovë ose pse i takojnë LDK-së, e shihen si kuadro që mund të udhëheqin të ardhmen me Kosovën kjo s’do koment. Nëse ata evidentohen sigurisht ata duhet trajtohen edhe në aspektin personal. Nga ajo çka është thanë motivet mund të jenë puro politike, sepse privatisht nuk kemi asgjë me askënd”, ka thënë Zemaj.

Zemaj ka përmendur edhe eksponentët e VV-së, për të cilët thotë se po ta dijë nëse janë të përfshirë në një mënyrë në këtë atentat, do të ju shkoj te dera e shtëpisë.

Ndërkaq, sipas nënkryetarit të LDK-së, Kujtim Shala ky planifikim për atentat ka motivacion politik.

“Ka të bëj me motivacion politik. Thuhet që gjithë kjo po drejtohet kundër kundërshtarit kryesor politik. Kaq ka informata. Unë s’mund të implikojë askënd në këtë mënyrë”, ka thënë Shala të mërkurën.

“Njëra organizatë pretendohet se vepron në Kosova derisa tjetra jashtë Kosovës. Ajo që vepron jashtë Kosovës ka marrë përsipër të financojë ekzekutimin e këtij plani”, ka thënë tutje ai.

Planifikimi për atentat ndaj Abdixhikut dhe deputetëve të tjerë të LDK-së, e konfirmoi edhe Policia e Kosovës.